Lajmet

--------------

Gruevski dhe Cërvenkovski sërish përplasen për emrin

Kryeministri Gruevski duhet të tregojë se kërkon unitet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për emrin, tha nga Strumica, kryetari i LSDM-së Branko Cërvenkovski, ndërkohë Gruevski është përgjigjur duke akuzuar se LSDM dhe partitë e tjera opozitare nga çështja e emrit dhe identitetit kërkojnë të fitojnë pikë politike. Tezën e Pasko Kuzmanit se mund të humbasin emrin nëse nuk dëshmojnë se janë pasardhës të maqedonasve antikë, Gruevski nuk deshi ta komentojë, por tha se nuk është momenti i duhur që të merret me çështje historike. “Ne jemi Maqedonas unë këtë e thashë, nuk jemi as antikë, as sllavë, as ku e di unë se çfarë, ne jemi Maqedonas, kemi shtetin tonë, me Kushtetutë, popull, emër dhe komb dhe nuk do të ndërhyj në tema të tilla”, shtoi kryeministri Gruevski. Ai gjithashtu refuzoi të flasë për përmbajtjen e raundit të ardhshëm të bisedimeve me ndërmjetësin Metju Nimic në Gjenevë, ndërsa Cërvenkovski bëri thirrje që bisedimet të fillojnë më shpejtë dhe të jenë më thelbësore me qëllim që të arrihet kompromis.

Kroaci-Slloveni, mosmarrëveshjet për vijën kufitare

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt tha se Bashkimi Evropian nuk ka në plan të rigjallërojë përpjekjet për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes kufitare mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Ministri suedez, vendi i të cilit merr presidencën e radhës së Bashkimit Evropian javën e ardhshme, e quajti mosmarrëveshjen kufitare një çështje të brendshme. Ai u tha gazetarëve në Bruksel se ka ardhur koha për një periudhë reflektimi nga të dyja vendet. Sllovenia, që është anëtare e BE-së, ka bllokuar bisedimet e anëtarësimit të Kroacisë nga kjo mosmarrëveshje. Përpjekjet e Bashkimit Evropian për ndërmjetësim dështuan javën e kaluar duke zbehur shpresat e Kroacisë për përfundimin e bisedimeve deri në fund të vitit. Sllovenia favorizon ndërmjetësinë e BE-së si rrugën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Kroacia ka shprehur gatishmërinë të pranojë ndërmjetësim, por vetëm nëse çështja i paraqitet më pas një gjykate ndërkombëtare.

Koha është për zgjidhje të shpejt për emrin

Pa propozim konkret përmbyllet takimi i Gjenevës, mes ndërmjetësit Metju Nimic dhe palëve negociatore Zoran Jolevski dhe Amdantios Vasilakis. Sipas Nimic, në tryezë u shqyrtuan propozime të mëparshme nga paketa e Tetorit, për emrin. Të dyja palët, sipas tij, nuk kanë hequr dorë nga qëndrimet e tyre të deritanishme, por kanë shprehur vullnet që në të ardhmen të intensifikojnë bisedimet deri në zgjidhjen e kësaj çështje."Dhashë disa ide, tetorin e kaluar dhe ato janë akoma në tryezë për shqyrtim dhe mendoj se të dyja palët i kanë studiuar ato. Disa nga idetë ishin të vlefshme dhe unë do të vazhdojë të nxisë disa prej tyre, kur do të shkojë në Shkup dhe Athinë", tha Metju Nimic, ndërmtjetësi për emrin. Sipas Nimic, tani është momenti i duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit, që Maqedonisë t'i hapet rruga për anëtarësim në NATO e BE dhe të kontribuohet në përforcimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Negociatori i palës maqedonase Zoran Jolevski nënvizoi gatishmërinë për vazhdimin e bisedimeve, ndërsa përsëriti qëndrimin se Maqedonia nuk heq dorë nga gjuha dhe identiteti maqedonas.

Rusia e gatshme të reduktojë arsenalin bërthmor

Presidenti Dmitry Medvedev tha të shtunën se Rusia është e gatshme që ta reduktojë armatimin e saj bërthamor. Këto komente ai i bëri gjatë qëndrimit të tij në Amsterdam të Holandës. “Ne jemi të gatshëm që ta reduktojmë një numër të armatimit tonë strategjik mbrojtës, disa herë në krahasim me START 1”, deklaroi Medvedev. Pakti START është Marrëveshja për Reduktimin e Armatimit Strategjik, për të cilin Moska dhe Uashingtoni aktualisht po zhvillojnë negociata. Presidenti Medvedev, në Amsterdam , inauguroi një degë të Muzeut të Trashëgimisë Shtetërore të Rusisë.

Tags:  | Figurat boterore | Lajme | Informata |  Auto  | Muzik  | Filma |