Nuk jemi të interesuar për Pazzinin

 

Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka mohuar spekulimet se klubi i tij është pranë transferimit të sulmuesit të Sampdorias, Giampaolo Pazzini. “Nuk është e vërtetë... Pazzini nuk është një lojtar që na intereson neve”. “Do të qëndrojmë me të njëjtën skuadër, e kam thënë këtë disa herë. Mendoj se kemi skuadër të mirë”. “Shfaqëm një sulmues shumë të mirë në ndeshjen e fundit- Sturridge, dhe nuk kemi nevojë për lojtarë të rinj”, ka thënë Ancelotti.

 

Wolfsburg mohon të jetë në bisedime me Milanin

 

Kampioni i Gjermanisë, Wolfsburg, ka mohuar se është në bisedime me Milanin për transferimin e sulmuesit Edin Dzeko. Mëngjesin e të premtes, mediat italiane kanë raportuar se drejtori gjeneral i Wolfsburgut, Dieter Hoenes, ka qenë në Milano për të përcjellë duelin kundër Genoas, ndërsa është spekuluar se ai është takuar me Adriano Gallianin për të diskutuar në lidhje me disponueshmërinë e sulmuesit boshnjak. Sipas spekulimeve, Wolfsburgu është pajtuar që ta shesë Dzekon, por vetëm për 40 milionë euro, ndërkohë që Milani dëshiron ta përfshijë edhe Klaas-Jan-Huntelaarin në këtë marrëveshje Sido që të jetë, Hoenes ka mohuar këto spekulime duke thënë se “ajo që shkruhet në mediat italiane nuk është e vërtetë”.

 

Pep Guardiola – trajneri më i mirë për vitin 2009

 

Federata Ndërkombëtare për Histori dhe Statistika të Futbollit e ka zgjedhur Pep Guardiolën si trajneri më i mirë i vitit 2009. Ky rezultat ishte edhe i pritur, pasi Guardiola këtë vit fitoi madje gjashtë trofe me Barcelonën. Pasi fitoi La Ligën, Ligën e Kampionëve, Kupën e Mbretit, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Kupën Mbretërore të Klubeve, Guardiola bindshëm, me 300 pikë, arriti edhe deri te titulli i strategut më të mirë për vitin 2009. Guardiola është spanjolli i dytë i cili fiton këtë shpërblim që nga viti 2002, kur trajneri më i mirë ishte zgjedhur Vicente del Bosque. I dytë në listë është gjendur Sir Alex Ferguson, derisa i treti ka qenë fituesi i dyfishtë i këtij çmimi, Jose Mourinho

 

Lippi hap derën për Tonin dhe Tottin, por jo edhe për Cassanon e Del Pieron

 

Trajneri i Italisë, Marcello Lippi, ka dhënë shpresa që dyshja e Romës, Francesco Totti dhe Luca Toni mund të përfshihen në skuadrën e Italisë që do të udhëtojë në Afrikën e Jugut. Derisa ua ka hapur derën sulmuesve romakë, Lippi i ka tejkaluar lojtarët e tillë, si Antonio Cassano, Alessandro Del Piero dhe Mario Balotelli. “Jam i lumtur që Toni u kthye në Itali. Ai tash e ka mundësinë që të luajë sërish. Ai ka qenë jashtë (përfaqësueses) që nga Kupa e Konfederatave kur nuk ishte i mirë. Tash ai mund të gjejë vazhdimësi. Ka në dispozicion gjashtë muaj, dhe unë do ta përcjell”. “Sa i përket Tottit, ai asnjëherë nuk ka mashtruar në jetën e tij, ai ka qenë gjithmonë koherent dhe transparent. Ju do ta shihni se ai do të rikuperohet edhe këtë herë, ai gjithmonë e ka bërë këtë, sepse ka karakter të shkëlqyer dhe unë e dua atë si njeri dhe si lojtar”, është shprehur trajneri për Il Messaggero. Ndërkohë sa i përket treshes Balotelli, Cassano e Del Piero, Lippi ka thënë se është mësuar të ketë presion nga mediat, porse vendimi i tanishëm i tij është që ata të mbeten jashtë përfaqësueses.